Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se nuk do të kundërshtojë publikimin e urdhrit të gjykatës që lejoi agjentët e FBI-së të kontrollojnë shtëpinë e tij në Mar-a-Lago në fillim të kësaj jave.
Trump tha në një deklaratë për mediat se ai po inkurajonte “publikimin e menjëhershëm” të tij, por përsëriti pretendimin se kontrolli ishte i panevojshëm dhe i motivuar politikisht.
Ndërkohë mediat e huaja shkruajnë se Departamenti Amerikan i Drejtësisë i ka bërë një kërkesë të rrallë një gjykate të Floridës për të “çvulosur” urdhrin. Nëse jepet, kjo do të thotë se dokumentet do të vendosen në dispozicion të publikut.
Dhe mund të konfirmojë arsyen e kontrollit të së hënës në shtëpinë e zotit Trump në Florida – diçka që departamenti i drejtësisë nuk e ka zbuluar ende.
Thuhet se kontrollet e FBI-së besohet të jenë të lidhura me një hetim nëse ish-presidenti hoqi të dhënat e klasifikuara dhe materiale sensitive nga Shtëpia e Bardhë.
Duke cituar burime anonime, “Washington Post” shkruan se dokumente sekrete në lidhje me armët bërthamore ishin ndër sendet që agjentët e FBI-së po kërkonin në Mar-a-Lago.
Burimet nuk i thanë gazetës nëse informacioni përfshinte armë amerikane apo të ndonjë kombi tjetër.
“Jo vetëm që nuk do të kundërshtoj publikimin e dokumenteve që lidhen me bastisjen dhe thyerjen joamerikane, të pajustifikuar dhe të panevojshme të shtëpisë sime në Palm Beach, Florida, Mar-a-Lago, por po shkoj një hap më tej duke INKURAJUARA ta bëjnë menjëherë”, thuhet në deklaratën e Trump.
Ish-Presidenti tha se ai po e jepte ‘lejen’ nga ana e tij pavarësisht se ato dokumente janë “përpiluar nga demokratët radikalë të majtë dhe kundërshtarë të mundshëm politikë në të ardhmen, të cilët kanë një interes të fortë dhe të fuqishëm për të më sulmuar mua, ashtu siç kanë bërë gjatë gjashtë viteve të fundit”, shkruan ai.
Më herët, Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland zbuloi se ai personalisht e miratoi urdhrin për kontrolle në rezidencën e Trump.
Deri më tani, departamenti i drejtësisë ka ndjekur praktikën e tij normale për të qëndruar në heshtje gjatë një hetimi aktiv – dhe dokumentet si urdhrat e kontrollit tradicionalisht mbeten të vulosura gjatë një hetimi në vazhdim.
Por prokurori Garland tha se po i kërkonte një gjykate që dokumentet që lidhen me urdhrin e bastisjes të bëhen publike, në interes të publikut.
Ai tha se vendimi i tij u ndikua gjithashtu nga zoti Trump që njoftoi publikisht se po ndodhte një kontroll në banesën e tij.
“Interesi i qartë dhe i fuqishëm i publikut për të kuptuar atë që ndodhi në këto rrethana rëndon shumë në favor të çvulosjes,” thanë avokatët e departamentit të drejtësisë në një mocion të paraqitur në gjykatën federale të enjten.
Kontrolli i së hënës ishte hera e parë në historinë amerikane që shtëpia e një ish-presidenti kontrollohej si pjesë e një hetimi penal. Trump dhe republikanë të tjerë e kanë dënuar veprimin si të motivuar politikisht.
Por duke folur në një konferencë për shtyp të enjten, Garland mbrojti agjentët e FBI-së dhe zyrtarët e departamentit të drejtësisë.
“Unë nuk do të qëndroj në heshtje kur integriteti i tyre sulmohet padrejtësisht,” u tha prokurori i përgjithshëm gazetarëve.
Ai gjithashtu tha se vendimi për të ekzekutuar urdhrin e bastisjes nuk u mor lehtë.