Tajlanda po rikthen në tryezë idenë e një takse për turistët e huaj, në përpjekje për ta bërë sektorin më të qëndrueshëm dhe më pak të varur nga fondet publike.

Propozimi parashikon një tarifë prej 450 baht, rreth 17 dollarë, për çdo vizitor ndërkombëtar që hyn në vend.

Sipas qeverisë, të ardhurat do të derdhen në një fond të posaçëm për turizmin dhe pritet të arrijnë rreth 10 miliardë baht në vit, ose afërsisht 300 milionë dollarë.

Paratë do të përdoren për sigurimin dhe kujdesin shëndetësor të turistëve, përmirësimin e infrastrukturës, rehabilitimin e destinacioneve dhe mbrojtjen e mjedisit.

Një pjesë e fondeve do të shkojë edhe për kërkime, trajnimin e punonjësve të sektorit dhe mbështetjen e komuniteteve lokale.

Por pas propozimit qëndron edhe një shqetësim më i gjerë.

Autoritetet tajlandeze paralajmërojnë se modeli i mbështetur vetëm te rritja e numrit të vizitorëve mund të arrijë në një pikë ngopjeje dhe të ushtrojë presion gjithnjë e më të madh mbi destinacionet më të frekuentuara.

Për këtë arsye, qeveria synon të zhvendosë vëmendjen nga numri i turistëve te cilësia dhe vlera ekonomike që ata sjellin.

Taksa e re shihet kështu si pjesë e një strategjie më të gjerë për të financuar vetë sektorin, për të mbrojtur mjedisin dhe për t’i bërë destinacionet më të qëndrueshme përballë flukseve të mëdha turistike.

Nëse miratohet, çdo turist i huaj do të paguajë më shumë për të hyrë në Tajlandë, ndërsa qeveria premton se të ardhurat do të rikthehen në shërbime, siguri dhe mbrojtjen e destinacioneve.