Një bazë ushtarake e izoluar mes akullnajave të Alaskës do të shërbejë si skena e një prej samiteve më të rëndësishme të kohëve moderne mes dy superfuqive botërore.
Të premten, presidenti amerikan Donald Trump dhe homologu i tij rus Vladimir Putin do të zhvillojnë një takim “kokë më kokë” në bazën Elmendorf-Richardson, pranë Anchorage. Ky samit shihet nga shumë analistë si një mundësi për Putinin të shfaqë gatishmërinë për paqe.
Baza strehon një numër të madh trupash nga Forcat Ajrore, Ushtria, Marina dhe Korpusi i Marinsave të SHBA-së, si dhe efektivë të Gardës Kombëtare dhe rezervistë. Në total, mbi 32 mijë persona – ushtarakë dhe familjarë të tyre – jetojnë aty, duke përbërë rreth 10% të popullsisë së Anchorage. Rajoni njihet edhe për praninë e arinjve grizzly, drerëve të mëdhenj dhe ujqve. Sipas Bibliotekës së Kongresit, Elmendorf-Richardson ka pasur një rol kyç në mbrojtjen e SHBA-së ndaj Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Fillimisht, Shtëpia e Bardhë hezitoi për të pritur një lider rus në një instalim ushtarak amerikan, por përfundimisht u vendos se kjo bazë ishte e vetmja hapësirë në Alaska që mund të garantonte masat e nevojshme të sigurisë për një takim kaq të ndjeshëm.
Për të mbërritur, Putin do të udhëtojë rreth 9 orë nga Moska, ndërsa Trump rreth 7 orë e gjysmë nga Uashingtoni. Baza ka pistë të mjaftueshme për avionët presidencialë të të dy vendeve.
Elmendorf-Richardson ka qenë më parë arenë e takimeve historike. Në vitin 1971, aty u zhvillua një bisedë 30-minutëshe mes presidentit amerikan Richard Nixon dhe Perandorit Hirohito të Japonisë – hera e parë që një monark japonez në detyrë vizitonte tokë të huaj.
Vizita e Putinit do të jetë më e gjatë se ajo e Hirohitos, por pritet të përfundojë brenda ditës së premte. Në vitin 2021, presidenti Joe Biden zhvilloi në Anchorage një takim me delegacionin kinez, i cili përfundoi me tensione pas akuzave të palës kineze për “mendjemadhësi dhe hipokrizi” nga SHBA. Kësaj here, Trump synon një rezultat më të frytshëm.
