E gjitha filloi si çdo histori në Tinder, një çift, që prej disa javësh shkëmbenin mesazhe dhe pastaj takohen për një darkë. Por kur Nadia, atëherë 27 vjeç, shkoi në apartamentin e Christopher për të shkuar së bashku në restorant, gjërat morën një kthesë që ende i shkakton të dridhura, shtatë vjet më vonë.

Ajo nuk është e vetme. Gjashtë gra kanë ndarë përvojat e tyre në një podcast të BBC- së rreth Christopher Harkins, një mashtrues serial i cili jo vetëm që zhvatte para, por gjithashtu përdorte dhunë fizike dhe ekstreme psikologjike, sulme seksuale, kërcënime dhe madje edhe përdhunim. Pavarësisht ankesave të bëra në policinë e Skocisë që në vitin 2012, autoritetet filluan hetimin e Harkins, tani 38 vjeç, vetëm në vitin 2019. Policia u përqendrua në aspektin financiar dhe, për shkak se nuk kishte ankesa për kërcënime ose dhunë, ata i trajtuan rastet si civile (mashtrim) dhe jo si penale.

Për më tepër, ankesat iu bënë departamenteve të ndryshme të policisë në Skoci dhe sulmet u hetuan veçmas nga njëra-tjetra. Ajo që më në fund i bëri autoritetet ta merrnin çështjen më seriozisht ishte iniciativa e një gruaje për t’iu drejtuar medias në tetor 2019 për të denoncuar Harkins. Policia e kishte refuzuar atë pavarësisht ankesës së saj se Harkins i kishte zhvatur 3,247 paund për një paketë pushimesh që nuk ekzistonte.

Sot, Nadia thotë se shenjat paralajmëruese filluan kur ajo i ra ziles së derës së apartamentit të tij në vitin 2018. Harkins hapi derën me tuta sportive dhe i tha se ishte shumë i lodhur për të dalë. Ai i tha se mund të merrnin ushqim për të ngrënë në shtëpinë e tij. Nadia hyri brenda dhe gjeti një apartament bosh, madje edhe televizori ishte në kuti.

Ai i ofroi vodka, por ajo preferoi të hidhte një pije të gazuar për vete. Kjo e zemëroi atë, madje edhe më shumë kur ajo aksidentalisht derdhi pak pije të gazuara në dysheme.

“Sa e ngathët je, nuk po e respekton pronën time,” do t’i thoshte ai me inat.

Por Nadia e cila kishte qëndruar vetëm 20 minuta me të doli menjëherë nga apartamenti me makinën e saj. Harkins menjëherë filloi ta bombardonte me mesazhe.

“Si guxon dikush si ty të ketë guximin të dalë në një takim me mua,” shkroi ai, përpara se ta kërcënonte pak kohë më vonë se do të hidhte një koktej Molotov në makinën e saj, do ta vriste dhe pastaj do ti sulmonte të atin.

Shënjestra tjetër e ofendimeve të Harkins ishte pamja e saj: “Lopë e shëndoshë, dukesh si derr, ke shumë grim.”

Ai i shkruante deri në agim, duke shkatërruar vetëvlerësimin e Nadias, të cilin ajo kishte luftuar aq shumë për ta rifituar pas një periudhe të vështirë që kishte kaluar.

“Nëse nuk do kisha pasur vajzën time, do t’i kisha dhënë fund jetës sime”, thotë ajo sot. Edhe pse menjëherë i raportoi kërcënimet e Harkins në polici, asaj iu tha se “nuk kishte asgjë që mund të bënim”. Nuk kishte kërcënime të drejtpërdrejta kundër saj, kishte thënë policia.

E paaftë për të bërë shumë, Nadia bllokoi numrin e tij, por Harkins vazhdoi ta ngacmonte në rrjetet sociale përmes njerëzve që e njihnin. Më vonë, Nadia lexoi dëshminë e një gruaje që u përdhunua nga Harkins dhe kuptoi se kjo mund të ishte parandaluar nëse policia do të kishte ndërmarrë veprime kundër tij . Harkins e përdhunoi atë dy muaj pas takimit me të, “vajza mund të ishte shpëtuar”, thotë ajo.

Harkins u burgos më në fund në vitin 2024, pas pothuajse një dekade “veprimi”. Dënimi është 12 vjet për 19 vepra penale të dhunës fizike dhe seksuale kundër 10 grave. Midis tyre ishin kërcënime dhe frikësime kundër Nadias dhe familjes së saj.

Përveç këtyre, Harkins pranoi akuzat për mashtrim. Ai kishte nxjerrë një total prej 214,000 paundësh (rreth 240,000 euro) nga gratë, përfshirë edhe skema investimi të rreme, por edhe duke përdorur identitete grash për të marrë kredi bankare. Hetimi i BBC zbuloi se ai kishte zhvatur edhe 70,000 paund të tjera nga gratë. Në total, viktimat e tij ishin të paktën 30 gra.

Megjithatë, autoritetet nuk duken veçanërisht të gatshme t’u kërkojnë falje viktimave që nuk u kanë dhënë vëmendjen që meritonin. Shtatë vjet më vonë, Nadia thotë se është rikthyer. “Jam shumë mirë, krejtësisht ndryshe dhe me shumë më tepër vetëbesim. Nuk kam frikë të flas hapur dhe nuk do t’i injoroj më kurrë sinjalet e forta.”