Princi Harry, u takua këtë muaj me të atin, Mbretin Charles, në Clarence House, për herë të parë pas rreth 18 muajsh. Takimi zgjati 53 minuta dhe gjatë tij dyshohet se babë e bir kanë shkëmbyer dhurata dhe kanë pirë çaj, duke e konsideruar këtë një hap të rëndësishëm, por të kujdesshëm, drejt përmirësimit të marrëdhënies së trazuar mes tyre.

Megjithatë, aktualisht nuk ka plane që Harry dhe Charles të shfaqen publikisht së bashku apo që Harry të rikthehet në një rol të përzier brenda dhe jashtë familjes mbretërore. Mbreti mbetet i vendosur për respektimin e Marrëveshjes së Sandringhamit të vitit 2020, e cila kishte refuzuar kërkesën e Dukës për një rol të tillë, por burime pranë pallatit kanë konfirmuar se ai mbetet i hapur për një takim privat të mëtejshëm kur Harry të vijë përsëri në Londër.

Gjatë takimit, babë e bir u përshëndetën ngrohtësisht me puthje në faqe, dhe Harry i dhuroi të atit një foto të fëmijëve të tij, Princit Archie dhe Princeshës Lilibet. Një zëdhënës i Dukës ka sqaruar se shkëmbimi i dhuratave u bë, por fotografia nuk përfshinte Meghan-in.

Raportohet se takimi u zhvillua disa ditë para ditëlindjes së Harry-t, dhe Mbreti i kishte dhuruar një dhuratë të hershme për 41-vjetorin e tij. Harry ka ardhur për vizitën në orën 17:21 dhe ka lënë Clarence House në 18:14 për t’u drejtuar në një pritje të Invictus Games. Ky ishte takimi i parë ballë për ballë mes Harry-t dhe Charles-it që nga shkurt 2024, kur Harry kishte udhëtuar në Mbretërinë e Bashkuar pas diagnostikimit të kancerit të Mbretit.

Takimi nuk përfshinte Princi William-in, pasi marrëdhënia mes vëllezërve mbetet e tensionuar dhe nuk ka shenja për përmirësim. Raporte të ndryshme sugjerojnë se Harry mund të ketë synuar të krijojë ndarje mes Mbretit dhe William-it, por një zëdhënës i Dukës e ka mohuar këtë dhe ka theksuar se Harry nuk po përpiqet të krijojë konflikte.

Harry ka shprehur më herët dëshirën për pajtim me familjen, edhe pse beson se ata mund të mos e falin pas akuzave të tij publike ndaj Kate, William, Charles dhe Camilla-s, përmes intervistave, dokumentarëve dhe autobiografisë së tij “Spare”. Marrëdhënia mes William dhe Harry mbetet e ngarkuar edhe për shkak të përjetimeve të fëmijërisë pas vdekjes së Princeshës Diana dhe konflikteve të vazhdueshme për Meghan-in dhe çështje familjare.