Një detaj i pazakontë gjatë takimit mes Donald Trump dhe Xi Jinping në Pekin ka tërhequr vëmendjen e ekspertes së gjuhës së trupit, Judi James, e cila pretendon se Trump përdori një “kod të fshehtë” gjatë shtrëngimit të duarve me liderin kinez.
Takimi u zhvillua në një ceremoni madhështore në Sheshi Tiananmen, mes ceremonive ushtarake dhe pritjes zyrtare për presidentin amerikan.
Sipas analizës së James, Trump ishte ai që mori iniciativën për shtrëngimin e duarve, edhe pse Xi ishte mikpritësi. Ajo theksoi se presidenti amerikan e zgjati dorën nga larg me pëllëmbën lart, një gjest që sipas saj përdoret shpesh për të treguar kontroll apo dominim në komunikimin politik.
Ekspertja u ndal edhe te pesë prekjet e lehta që Trump i dha Xi-së gjatë shtrëngimit të duarve, duke i interpretuar si një përpjekje për të krijuar afërsi dhe për të forcuar marrëdhënien mes tyre.
Megjithatë, ajo vuri në dukje se atmosfera nuk dukej aq e ngrohtë sa gjatë vizitës së Vladimir Putin në Kinë vitin e kaluar.
Gjatë bisedimeve që zgjatën rreth dy orë, Xi Jinping paralajmëroi për tensionet lidhur me Tajvanin, duke deklaruar se mënyra se si trajtohet kjo çështje mund të ndikojë drejtpërdrejt në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës.
Nga ana tjetër, Trump e përshkroi pritjen si “një nder të rrallë” dhe theksoi se raportet mes dy vendeve do të përmirësohen ndjeshëm në të ardhmen.
Vizita e Trump në Kinë ishte planifikuar fillimisht për muajin mars, por ishte shtyrë për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme dhe konfliktit me Iranin, i cili ndikoi edhe në rritjen e çmimeve globale të naftës.
