Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, e ka quajtur historik takimin mes Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan. Në një intervistë për gazetën Corriere della Sera, Meloni e përshkroi këtë takim si “një moment të bukur dhe një dhuratë të fundit nga Papa Françesku”.
“Besoj se ishte një çast domethënës. Nga sa më kanë thënë ata që ishin aty, ky takim mund të jetë edhe një pikë kthese. Ndoshta, ishte dhurata e fundit e Papës për të gjithë ne. Mendoj se ai e meritonte një ceremoni madhështore, të qetë, siç ishte dhe vetë. Në atë përballje mes Trump dhe Zelensky-t… ishte si të ndjeje shpirtin e tij aty”, u shpreh Meloni.
Duke komentuar mbi tensionet e fundit SHBA–BE, sidomos për shkak të tarifave doganore të vendosura nga Trump, Meloni theksoi se është koha për një marrëveshje të re dhe të thelluar mes Evropës dhe SHBA-së.
“Takimet duhet të përgatiten mirë dhe të jenë me përmbajtje, jo vetëm formale. Koha ende nuk është e pjekur plotësisht, por jam e përkushtuar që të sjell një marrëveshje që i shërben Italisë, Evropës dhe SHBA-së”, tha ajo.
E pyetur për një marrëveshje të mundshme paqeje midis Rusisë dhe Ukrainës, Meloni u shpreh se Italia vazhdon të qëndrojë pranë Ukrainës, ashtu si në fillim të luftës.
“Pa mbështetjen e Perëndimit, Ukraina nuk do të kishte mundur të mbronte lirinë e saj. Tani mbështesim përpjekjet e Trump për paqe dhe na gëzon fakti që Zelensky ka shprehur gatishmëri për një armëpushim pa kushte. Kjo tregon se edhe Ukraina dëshiron paqe”, përfundoi ajo.
