Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti francez Emmanuel Macron dhe kancelari gjerman, Friedrich Merz konfirmuan praninë e tyre në takimin midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Takimi do të mbahet nesër.
Von der Leyen konfirmoi pjesëmarrjen e saj në një postim në X, duke informuar se do të merrte pjesë me kërkesë të Zelensky-t, në takimin me presidentin Trump dhe udhëheqës të tjerë evropianë në Shtëpinë e Bardhë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, dhe presidenti finlandez Alexander Stubbs ka të ngjarë të marrin pjesë gjithashtu në takim.
Në një deklaratë të lëshuar pak kohë më parë, zyra e presidencës franceze konfirmon pjesëmarrjen e Emmanuel Macron dhe thotë se udhëheqësit do të kërkojnë koordinim midis evropianëve dhe Shteteve të Bashkuara me qëllim arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme që do të mbrojë interesat jetësore të Ukrainës dhe sigurinë e Evropës. Sky News raportoi se edhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni do të jetë gjithashtu pjesë e takimit.
Presidenti finlandez Alexander Stubbs konfirmoi se do të marrë pjesë edhe ai në takimin e së hënës në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa u njoftua gjithashtu se edhe kancelari gjerman Friedrich Merz do të udhëtojë për në Uashington. Kancelari Merz do të diskutojë progresin e përpjekjeve për paqe me krerët e shteteve dhe qeverive dhe do të nënvizojë interesin e Gjermanisë për një marrëveshje të shpejtë paqeje në Ukrainë.
“Bisedimet do të përqendrohen, ndër të tjera, në garancitë e sigurisë, çështjet territoriale dhe mbështetjen e vazhdueshme për Ukrainën në mbrojtjen e saj kundër agresionit rus.” “Kjo përfshin ruajtjen e presionit të sanksioneve”, shtoi deklarata.
