Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në Uashington për një vizitë zyrtare, ku pritet të zhvillojë një takim me Presidentin amerikan, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë.

Vizita vjen menjëherë pas pjesëmarrjes së tij në punimet e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, që u mbajt në Nju Jork. Sipas njoftimit të bërë nga Drejtoria e Komunikimit e Presidencës turke, Erdogan u prit në Aeroportin e Bazës së Përbashkët Andrews nga ambasadori turk në SHBA, Sedat Onal, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Presidenti turk shoqërohet në këtë vizitë nga një delegacion i rëndësishëm, që përfshin Ministrin e Energjisë dhe Burimeve Natyrore, Alparslan Bayraktar, Ministrin e Mbrojtjes Kombëtare, Yasar Guler, Drejtorin e Shërbimit Informativ (MIT), Ibrahim Kalin, Drejtorin e Komunikimit të Presidencës, Burhanettin Duran, si dhe Kryetarin e Industrive të Mbrojtjes, Haluk Gorgun.

Gjithashtu, pas përfundimit të angazhimeve në OKB, Ministri i Jashtëm Hakan Fidan do t’i bashkohet delegacionit në Uashington.

Gjatë takimit Erdogan–Trump pritet të diskutohet forcimi i marrëdhënieve dypalëshe, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik, investimet dhe industrinë e mbrojtjes.