Shoferi i një makine garash misterioze, që ngjason me Ferrari, u kap nga policia çeke pas gjashtë vitesh prej kur automjeti u pa për herë të parë në autostradat e vendit nga automjetet e tjera. Në vitin 2019, policia çeke filloi të merrte raporte për një makinë garash të kuqe në autostrada. Automjeti u filmua nga kamerat e mbikëqyrjes dhe autoritetet arritën edhe të gjurmonin të dyshuarin, por pasi shoferi gjithmonë qëndronte me helmetë që i mbulonte fytyrën, ishte e pamundur ta identifikonin dhe çështja u mbyll për mungesë provash.

Së fundmi, makina garuese e kuqe u pa në një stacion karburanti pranë Dobrish, rreth 40 km jugperëndim të Pragës. Policia arriti të ndiqte shoferin deri në një pronë në fshatin Buk, 60 km nga kryeqyteti çek. Kur iu kërkua të dilte nga makina, burri i paedintifikuar, 51 vjeç, i tha policisë të largohej sepse ishin duke shkelur pronën e tij. Pas disa minutash diskutim, ai pranoi të shoqërohej në stacionin policor për tu intervistuar.

Fatkeqësisht për policinë, i dyshuari refuzoi të përgjigjej në shumicën e pyetjeve që iu bënë dhe djali i tij u tha gazetarëve lokalë se as ai dhe as familja nuk kishin dijeni për aktivitetet ilegale që policia i akuzon. Nëse shpallet fajtor, shoferi mund të përballet me gjobë prej 5,000 deri 10,000 korona çeke dhe ndalim drejtimi prej gjashtë muajsh deri një viti.