Deklaratat e fundit tëPresidentit amerikan Donald Trump, ku kërcënoi me “tarifa të ashpra” ndaj Moskës dhe njoftoi dërgesa të reja armësh në Ukrainë, janë pritur me kujdes në Rusi.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se këto deklarata janë serioze dhe kërkojnë analiza të mëtejshme nga autoritetet ruse.
Trump paralajmëroi gjithashtu se blerësit e eksporteve ruse mund të përballen me sanksione, nëse Moska nuk pranon një marrëveshje paqeje për konfliktin në Ukrainë.
Peskov u shpreh se presidenti Vladimir Putin do të komentojë mbi këto propozime vetëm nëse e sheh të nevojshme. Ai kritikoi gjithashtu dërgesat e reja të armëve për Ukrainën, duke deklaruar se “Vendimet që po merren në Uashington, vendet e NATO-s dhe Bruksel perceptohen nga pala ukrainase jo si sinjal për paqe, por si një sinjal për të vazhduar luftën.”
Në përfundim, Peskov përsëriti gatishmërinë e Rusisë për të vazhduar negociatat e drejtpërdrejta me Ukrainën, duke theksuar se Moska ende po pret një sinjal nga Kievi për të zhvilluar raundin e ardhshëm të bisedimeve të paqes.
