Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rindezur përplasjen me Europën për tarifat doganore. Në një postim në rrjetin e tij social Truth, ai ka sulmuar Bashkimin Evropian, duke e akuzuar se nuk po respekton marrëveshjet dhe duke paralajmëruar tarifa 25% për makinat.
“Jam i lumtur të njoftoj se, duke qenë se Bashkimi Evropian nuk po respekton marrëveshjen tonë tregtare, javën e ardhshme do të rris tarifat ndaj BE-së për automjetet dhe kamionët që hyjnë në Shtetet e Bashkuara. Tarifa do të rritet në 25%. Nëse prodhojnë automjete dhe kamionë në fabrika brenda SHBA-së, nuk do të ketë asnjë tarifë. Sot janë në ndërtim shumë impiante, me investime mbi 100 miliardë dollarë, një rekord në historinë e industrisë automobilistike”, shkroi ai.
Nga ana tjetër, Bernd Lange, kreu i Komisionit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, mohoi që Evropa të ketë shkelur marrëveshjet dhe akuzoi administratën amerikane për mungesë besueshmërie.
“Sjellja e Trump është e papranueshme. Parlamenti ishte gati të ratifikonte legjislacionin për marrëveshjen tregtare me SHBA-në. Janë Shtetet e Bashkuara që kanë shkelur vazhdimisht marrëveshjet, dhe kjo nuk është mënyra për të trajtuar aleatët. Tani mund të përgjigjemi vetëm me qartësi dhe vendosmëri”, tha ai.
Lëvizja e SHBA-së vjen në një moment tensioni të lartë në ekonominë globale dhe atë evropiane, i lidhur edhe me pasojat e luftës së nisur nga SHBA dhe Izraeli kundër Iranit, përfshirë bllokimin e Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët kryesore të transportit të naftës në botë.
Trump dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, kishin arritur një marrëveshje tregtare korrikun e kaluar, sipas së cilës shumica e mallrave evropiane që importohen në SHBA i nënshtrohen një tarife bazë prej 15%.
Si SHBA ashtu edhe BE kishin konfirmuar angazhimin për të ruajtur Marrëveshjen e Turnberry-t, e quajtur sipas fushës së golfit të Trump në Skoci ku u nënshkrua. Por statusi i saj u vu në pikëpyetje pasi Gjykata Supreme vendosi se presidenti amerikan nuk kishte autoritet ligjor për të shpallur emergjencë ekonomike dhe për të vendosur tarifa ndaj mallrave evropiane.
