Gjermania po përshpejton planet për të zgjeruar dhe modernizuar infrastrukturën e saj të mbrojtjes civile, në një kohë kur vendet evropiane anëtare të NATO-s po përgatiten për një përballje të mundshme të drejtpërdrejtë me Rusinë. Kështu deklaroi Ralph Tiesler, kreu i Zyrës Federale për Mbrojtje Civile dhe Ndihmë në Fatkeqësi (BBK).
Aktualisht, Gjermania ka vetëm 580 strehimore funksionale që mund të strehojnë rreth 480,000 qytetarë – një shifër që përbën më pak se 1% të popullsisë. Për të përballuar këtë mungesë, BBK po planifikon shndërrimin e garazheve nëntokësore, tuneleve të metrosë dhe bodrumeve publike në hapësira të mbrojtura, të afta për të strehuar deri në një milion persona. Këto strehimore do të pajisen me ushqime, tualete dhe zona fjetjeje.
“Bunkerët e rinj sipas standardeve moderne janë shumë të kushtueshëm dhe kërkojnë kohë. Na duhen zgjidhje më të shpejta,” tha Tiesler për Süddeutsche Zeitung, duke shtuar se një plan kombëtar për strehim do të prezantohet më vonë gjatë verës.
Në një intervistë tjetër për Die Zeit, ai theksoi se pothuajse çdo bodrum mund të shndërrohet në një hapësirë të sigurt në rast rreziku. Ai u bëri thirrje qytetarëve të përforcojnë dritaret dhe të krijojnë rezerva ushqimore për qëndrime afatgjata.
Tiesler hodhi poshtë mundësinë e një sulmi të drejtpërdrejtë rus me trupa në Berlin, por paralajmëroi për rrezikun e sulmeve të synuara, duke qenë se Gjermania shërben si qendër logjistike për NATO-n.
Në të njëjtën kohë, spitalet gjermane po vlerësohen për aftësinë për të trajtuar viktima në shkallë të gjerë, me paralajmërime se në rast lufte mund të përballen me deri në 1,000 pacientë shtesë në ditë. Masat e tjera përfshijnë dyfishimin e numrit të sirenave paralajmëruese dhe përmirësimin e aplikacioneve të emergjencës për t’u përshtatur me kërcënime nga raketat. Po shqyrtohet edhe mundësia e futjes së një detyrimi për shërbim civil kombëtar.
Kancelari Friedrich Merz ka deklaruar se synon ta bëjë Bundeswehr-in “ushtrinë më të fortë në Evropë”, ndërsa ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius kërkon rritje të buxhetit të mbrojtjes në 90 miliardë euro deri më 2028.
Tiesler ka theksuar se mbrojtja civile nuk duhet të mbetet pas, duke kërkuar 30 miliardë euro investime gjatë dhjetë viteve të ardhshme – përfshirë 10 miliardë euro deri më 2029, vitin që zyrtarët gjermanë e kanë përmendur si afatin e fundit kur vendi duhet të jetë “i gatshëm për luftë”.
