Kina ka bërë thirrje për armëpushim të menjëhershëm mes Iran dhe SHBA, duke kërkuar gjithashtu rikthimin e lëvizjes së lirë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më strategjike për tregtinë globale të energjisë.

Qëndrimi i Pekinit u bë publik gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, në kryeqytetin kinez, ku zhvilloi bisedime me homologun e tij, Wang Yi.

Pas takimit, autoritetet kineze theksuan nevojën për ndaljen e përshkallëzimit ushtarak dhe vijimin e dialogut diplomatik për të shmangur një krizë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Vizita e Araqchi në Pekin zhvillohet në një moment delikat për diplomacinë ndërkombëtare, vetëm pak ditë para takimit të paralajmëruar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, çka i jep lëvizjes së Kinës një rëndësi të veçantë politike.

Ndërkohë, raportimet ndërkombëtare flasin për afrimin e një marrëveshjeje paraprake mes Teheranit dhe Uashingtonit. Propozimi përfshin kufizime të reja për programin bërthamor iranian, lehtësim të disa sanksioneve amerikane dhe zhbllokimin e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit.

Në paketën e diskutimeve përfshihet edhe garantimi i kalimit të sigurt të anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, zonë që ka qenë në qendër të tensioneve gjatë javëve të fundit.

Analistët vlerësojnë se përfshirja aktive e Kinës mund të luajë rol kyç në uljen e tensioneve, duke e konsideruar Pekinin një ndër fuqitë me ndikimin më të madh diplomatik në raportet mes Iranit dhe SHBA-së.