Një protestë e pazakontë është zhvilluar para Ministrisë së Politikës Dixhitale në Poloni, ku rreth 30 robotë dolën në rrugë për të kërkuar rregulla më të qarta për përdorimin e inteligjencës artificiale në tregun e punës.

Robotët, mes tyre humanoidë me dy këmbë dhe modele me katër këmbë që ngjajnë me qen, u shfaqën duke mbajtur flamuj dhe duke përcjellë përmes altoparlantëve slogane si “Mbroni vendet e punës” dhe “Është koha për rregulla”.

Një prej robotëve humanoidë, Agibot A3, deklaroi për AFP se prania e tyre kishte për qëllim të tregonte se teknologjia robotike tashmë është realitet.

Protesta u organizua nga iniciativa Democratism, e cila synon të hapë një debat mbi ndikimin social dhe ekonomik të automatizimit. Organizatori Gregorj Kulis paralajmëroi se përparimi i robotëve humanoidë dhe inteligjencës artificiale mund të sjellë ndryshime të mëdha në tregun e punës.

Sipas tij, nëse robotët bëhen më efikasë dhe më të lirë se punonjësit njerëzorë, kompanitë mund të orientohen gjithnjë e më shumë drejt automatizimit.

Në protestë mbërriti edhe ministri polak i Politikës së Qeverisjes Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, i cili paralajmëroi për rrezikun e përdorimit të pakontrolluar të inteligjencës artificiale në robotët humanoidë.

Debati vjen në një kohë kur Polonia po përshtat kuadrin e saj ligjor me rregullat evropiane për inteligjencën artificiale, ndërsa shqetësimet për ndikimin e teknologjisë në vendet e punës po rriten.