Të paktën 20 persona kanë humbur jetën pas një tërmeti me magnitudë 7.4 që goditi pjesën perëndimore të Kolumbisë.
Sipas autoriteteve lokale, 18 viktima janë regjistruar në Pereira, ndërsa dy të tjera në Manizales. Ndërkohë, në disa zona raportohet se persona të tjerë kanë mbetur të bllokuar nën rrënoja.
Lëkundjet e fuqishme kanë shkaktuar shembjen e dhjetëra ndërtesave dhe dëme të konsiderueshme në disa qytete. Situata paraqitet veçanërisht problematike në Cali, ku autoritetet kanë raportuar se të paktën 20 ndërtesa janë shembur.
Tërmeti është ndjerë edhe në kryeqytetin Bogotá, si dhe në Venezuelën fqinje.
Ekipet e emergjencave nga Bogotá dhe Medellín pritet të angazhohen në operacionet e kërkim-shpëtimit, ndërsa vijojnë kontrollet për personat që mund të kenë mbetur nën rrënoja.
Pas tërmetit, autoritetet kanë aktivizuar edhe sistemet e monitorimit për rrezikun e cunamit. Sipas sistemit amerikan të paralajmërimit për cunami, nuk ka rrezik për një cunami të shkaktuar nga kjo lëkundje.
