Të paktën pesë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur pas një sulmi me armë zjarri në lagjen Holosiivskyi, në Kiev, ku një person i armatosur hapi zjarr ndaj kalimtarëve dhe më pas u barrikadua në një supermarket duke marrë pengje.
Sipas autoriteteve, pas një operacioni të gjerë, forcat speciale të policisë ukrainase ndërhynë për neutralizimin e autorit. Ministri i Brendshëm, Ihor Klimenko, konfirmoi se efektivët hynë në ambientet e dyqanit dhe autori u vra gjatë shkëmbimit të zjarrit.
Më herët, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, kishte deklaruar se fillimisht raportoheshin të paktën dy viktima dhe rreth dhjetë të plagosur, mes tyre edhe një fëmijë. Të lënduarit u transportuan në spitalet e qytetit, ndërsa disa morën ndihmën e parë në vendngjarje.
Gjatë operacionit, autori kishte qëlluar edhe ndaj forcave të rendit, ndërsa më parë ishin bërë përpjekje për negociata. Sipas raportimeve, ai kishte marrë pengje brenda supermarketit, duke shkaktuar panik në zonë.
Mediat vendase raportojnë se para sulmit, autori kishte vënë flakën apartamentit ku jetonte, ndërsa një roje sigurie mbeti i plagosur gjatë incidentit.
Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për sigurinë në vend, ndërsa autoritetet kanë kujtuar edhe një incident të fundit në Odessa, ku një person i armatosur kishte hapur zjarr ndaj kalimtarëve, pa shkaktuar viktima.
