Një person ka humbur jetën dhe dy policë janë plagosur pas një incidenti me armë zjarri gjatë natës në fshatin Overasselt, në provincën holandeze të Gelderlandit.
Policia është thirrur rreth orës 04:20 të mëngjesit, pas raportimeve për të shtëna me armë në rrugën Ewijkseweg.
Me të mbërritur në vendngjarje, efektivët kanë gjetur një person të pajetë. Gjatë incidentit janë plagosur edhe dy policë, të cilët janë dërguar në spital. Sipas autoriteteve, ata ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka kryer disa arrestime gjatë natës, ndërsa njësitet speciale të DSI-së kanë vijuar kërkimet në zonë edhe gjatë orëve të mëngjesit.
Gjatë operacionit janë dëgjuar edhe të shtëna paralajmëruese, ndërsa disa rrugë janë mbyllur për të garantuar sigurinë e banorëve.
Autoritetet ende nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimës, rrethanat e sakta të vdekjes apo numrin e personave të arrestuar.
Kryetari i komunës, Joerie Minses, e ka dënuar ashpër ngjarjen, duke e cilësuar dhunën si “krejtësisht të papranueshme” dhe “përtej çdo kufiri”.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat e incidentit dhe motivin e mundshëm të sulmit.
