Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur Saint Vincent dhe Grenadinet, shtetin ishullor të Karaibeve të njohur për plazhet dhe turizmin luksoz. Bilanci është katër persona të vrarë dhe katër të tjerë të plagosur.

Të shtënat u regjistruan në Green Hill, një zonë pranë kryeqytetit Kingstown. Pas sinjalizimeve për të shtëna, forcat e policisë mbërritën në vendngjarje, ku u përballën me një skenë të rëndë.

Dy prej viktimave u gjetën të pajeta në rrugë. Trupi i një gruaje ndodhej brenda një automjeti të parkuar, ndërsa viktima e katërt u zbulua në një parcelë pranë zonës ku kishte ndodhur sulmi.

Komisioneri i përkohshëm i Policisë Mbretërore, Trevor Bailey, deklaroi se të katër viktimat kishin plagë që dyshohet se ishin shkaktuar nga armë zjarri.

Nga breshëria mbetën të plagosur edhe katër persona. Dy prej tyre ndodhen ende në spital duke marrë trajtim mjekësor.

Autorët nuk janë kapur dhe deri tani policia nuk ka njoftuar për arrestime. Hetuesit po punojnë për identifikimin e personave të përfshirë dhe zbardhjen e motivit që çoi në sulmin vdekjeprurës.

Paralelisht, autoritetet po hetojnë edhe një tjetër vrasje të regjistruar në vend, për të përcaktuar nëse ekziston ndonjë lidhje me ngjarjen në Green Hill.

Sulmi ka sjellë reagimin e ministrit të Sigurisë Kombëtare, St. Clair Leacock, i cili dënoi vrasjet dhe e cilësoi dhunën si të pakuptimtë.

Sipas tij, Saint Vincent dhe Grenadinet vazhdon të konsiderohet një vend përgjithësisht paqësor, por disa komunitete janë përballur me episode dhune të lidhura me aktivitetin e bandave.

Hetimet vijojnë, ndërsa mbetet ende e paqartë se kush qëndron pas sulmit dhe nëse viktimat ishin objektivi i një përplasjeje të organizuar.