Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur, mes tyre tre efektivë policie, pas të shtënave me armë në një ndërtesë apartamentesh në qendër të Minneapolis, në SHBA.
Sipas policisë, edhe i dyshuari për sulmin është gjetur i vdekur. Autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të shmangin zonën pranë Loring Park, në afërsi të qendrës së konventave të qytetit, ndërsa vijonte operacioni policor.
Qendra Mjekësore Hennepin njoftoi se shtatë persona janë transportuar në spital, ndërsa deri tani nuk janë bërë të ditura detaje për gjendjen e tyre shëndetësore.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë forca të shumta policie me armët e drejtuara drejt një ndërtese shumëkatëshe, ku dyshohet se ishte përqendruar operacioni.
Në vendngjarje kanë mbërritur edhe agjentë të FBI-së. Drejtori i FBI-së, Kash Patel, deklaroi se agjencia federale do të vërë në dispozicion çdo burim të nevojshëm për të ndihmuar autoritetet lokale në hetimin e ngjarjes.
Edhe guvernatori i Minesotës, Tim Walz, konfirmoi se agjencitë shtetërore ndodhen në zonë dhe po asistojnë në menaxhimin e situatës.
Deri në këto momente, autoritetet nuk kanë dhënë detaje të tjera mbi mënyrën se si nisën të shtënat apo motivin e mundshëm të sulmit. Hetimet vijojnë për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.
