Një person humbi jetën ditën e sotme gjatë një incidenti me armë zjarri ku u përfshinë agjentë të Shërbimit Amerikan të Emigracionit dhe Doganave (ICE) në qytetin Biddeford, në shtetin amerikan të Maine.

Lajmi u konfirmua nga kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Maine, Ryan Fecteau, i cili bëri të ditur se autoritetet shtetërore kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e ngjarjes.

“Një person u vra. ICE ishte e përfshirë. Policia e Shtetit dhe Departamenti i Sigurisë Publike ndodhen në vendngjarje për të mbledhur informacione, ndërsa pritet që hetimeve t’u bashkohet edhe FBI-ja”, shkroi Fecteau në një deklaratë të publikuar në Facebook.

Ai shtoi se këto janë të vetmet informacione të konfirmuara deri më tani dhe se do të ketë përditësime sapo autoritetet të bëjnë publike detaje të reja.

Ngjarja vjen vetëm pak ditë pasi një oficer federal i emigracionit qëlloi për vdekje një emigrant meksikan gjatë një kontrolli rrugor në Houston, një incident që nxiti protesta dhe kërkesa për më shumë transparencë nga autoritetet amerikane.

Ndërkohë, CNN raportoi se ka kërkuar një reagim zyrtar nga Shërbimi Amerikan i Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, por deri tani nuk ka marrë një përgjigje.