Një person i armatosur ka mbetur i vrarë mbrëmjen e së shtunës pas një shkëmbimi zjarri me agjentët e Shërbimit Sekret amerikan pranë Shtëpisë së Bardhë në Uashington, kanë konfirmuar autoritetet amerikane, raporton BBC.
Mediat amerikane shkruajnë se, i dyshuari është identifikuar si Nasire Best, 21 vjeç, i njohur më parë nga Shërbimi Sekret dhe me histori të dokumentuar të problemeve të shëndetit mendor.
Sipas Shërbimit Sekret, pak para orës 18:00 me orën lokale, i riu nxori një armë nga çanta dhe hapi zjarr. Agjentët iu kundërpërgjigjën menjëherë, duke e plagosur rëndë autorin, i cili më vonë u shpall i vdekur në spital.
Autoritetet konfirmuan gjithashtu se një kalimtar mbeti i plagosur gjatë incidentit, por nuk janë dhënë detaje mbi gjendjen e tij shëndetësore. Asnjë efektiv i Shërbimit Sekret nuk u lëndua gjatë përplasjes.
Burime të afërta me hetimin thanë për CBS se Nasire Best kishte tentuar të hynte në Shtëpinë e Bardhë në korrik të vitit 2025 dhe ishte arrestuar pranë saj nga agjentët federalë. Pas arrestimit, ai kishte kaluar një periudhë në një institucion psikiatrik.
Sipas të njëjtave burime, 21-vjeçari jetonte në Uashington prej rreth 18 muajsh dhe përdori një revolver gjatë sulmit.






