Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, të martën në mbrëmje (16.09.2025) mbërriti për një vizitë shtetërore në Britaninë e Madhe. Në program: Bisedime me mbretin Charles III dhe kryeministrin Starmer.
Avioni presidencial “Air Force One” aderoi në orën 21:07 sipas orës lokale në afërsi të Londrës. Donald Trump të mërkurën do të pritet në kështjellën Windsor nga mbreti Charles III. Të enjten (18.09.2025) Trump do të takohet me kryeministrin britanik Keir Starmer në çiflikun e tij Chequers.
Kur kryeministri britanik, Keir Starmer, në fund të shkurtit 2025 i dorëzoi presidentit Trump në Oval Office ftesën e nënshkruar nga mbreti Charles, pasoi një skenë teatri politik, që ka shanse të mira për të hyrë në historinë britanike: “A ta lexoj tani?”, pyeti Trump. “Po, të lutem”, u përgjigj Starmer dhe shtoi më pas: “Tani mungon vetëm përgjigja juaj.” Trump menjëherë ia ktheu: “Përgjigja ime është: po”.
Të paktën për këtë çast raportet ndërmjet dy vendeve u shpëtuan. Kur Trump shpalli tarifat për doganat ndërkombëtare Britania e Madhe me dhjetë për qind doli më e favorizuar krahasuar me vende të tjera.
Letrën e mbretit Charles, Trump e mbajti aq të hapur para kamerave, sa mund të deshifroheshin lehtësisht fjalët e mbretit. Në Britaninë e Madhe kjo u prit nga njëra anë me kureshtje, por edhe me pak indinjatë. “Që zarfi me një ftesë për një vizitë shtetërore u dorëzua personalisht, kjo ndodh për herë të parë”, thotë historiani dhe ekspert i shtëpisë mbretërore Robert Lacey. Vetëm ky gjest, sipas tij, tregon se sa politike është kjo vizitë.
Për Donald Trump kjo është vizita e dytë shtetërore si president. Herën e parë gjatë mandatit të tij të parë ai u prit më 2019 nga mbretëresha Elisabeth II në Londër.
Pushteti i butë mbretëror mund të ketë efekt te Trump
Asnjë drejtues tjetër shteti Mbretëria e Bashkuar nuk e ka nderuar me një ftesë të dytë për vizitë shtetërore. Ky është një rekord tërësisht sipas shijes së Trumpit.
“Pa shpresën për të ardhur në Windsor, të takojë mbretin dhe të përkujtojë mbretëreshën me një vizitë tek varri i Elisabeth II, Trump nuk do të kishte ardhur”, mendon Lacey. Vizitat shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar janë nderi më i madh diplomatik për kryetarë shtetesh dhe qeverish, por ato shërbejnë edhe si një armë e fshehtë diplomatike për pushtetin e butë të monarkisë.
Kjo mund të ketë efekt të veçantë tek presidenti i SHBA-së. “Trump ka admirim për aristokracinë me taban të fortë si dhe pasurinë e saj. Ai vet është mishërimi i pasanikut të ri e për këtë arsye ka edhe një farë kompleksi inferioriteti”, thotë politologu i specializuar për marrëdhëniet SHBA-Britani e Madhe, Mark Shanahan nga Universiteti anglez Surrey: “Me të gjitha lidhjet e tij në shtëpitë mbretërore dhe familjet fisnike të Europës Charles është një lloj diplomati dhe kjo do t’i lerë përshtypje e do ta influencojë Trumpin”.
Të shtëna me top, banket dhe përgatitje enkas
Për dy ditë (17.09 -18.09) presidenti i SHBA-së do të jetë në Britaninë e Madhe i shoqëruar nga bashkëshortja Melania. Janë planifikuar një udhëtim me pajton, të shtëna nderi me top. Një banket pompoz shtetëror me rreth 160 të ftuar dhe mbrëmjen e së mërkurës Trump do ta kalojë në kështjellën Windsor. Të enjten janë në plan takimi me kryeministrin Starmer: Në program janë kryesisht tema ekonomike dhe politike, ndër to inteligjenca artificiale, investimet, doganat si dhe Gaza e Ukraina. Se çfarë do të arrijë qeveria e Starmerit, këtë e ka mjaft mirë parasysh mbreti Charles.
Kryeministri dhe mbreti takohen gjithsesi një herë në javë në audiencë private, dhe përpara vizitave të tilla shtetërore kontakti ndërmjet pallatit mbretëror dhe Downing Street 10 intensifikohet. “Mbreti përgatitet në mënyrë të detajuar nga qeveria, për atë se për çfarë duhet të flasë apo të mos flasë tani me Trump”, thotë politiologu Shanahan. Edhe princesha Catherine, e quajtur Kate, princesha e Uellsit, luan një rol të rëndësishëm. “Princesha po ashtu përgatitet enkas për bisedimet me Melania Trump, sepse besohet, që Zonja e Parë ka influencë të madhe te burri i saj. “Pjesëtarët e familjes mbretërore në bisedimet e tyre me Trump do të plasojnë tek Trump informacionet e duhura duke shpresuar që ato ashtu si fara të bien në tokë pjellore”, thotë Shanahan.
Simbolikisht e rëndësishme
Vizita shtetërore e presidentit Trump është për mbretin Charles një tjetër pikë kulmore në këtë vit me aktivitet intensiv diplomatik për të. Fillimisht shumë britanikë druanin, se Charles, pikëpamjet politike të të cilit njihen shumë më tepër se sa ato të nënës së tij, që ai si mbret do të fokusohej shumë më fort tek politika e ditës brenda vendit. Por tani qeveria gjithnjë e më shumë po kërkon prej tij që të jetë aktive në një mënyrë krejt të veçantë.
Charles, i cili vazhdimisht është shprehur solidar për Ukrainën, në fillim të marsit me kërkesën e qeverisë britanike priti Volodymyr Zelenskyn – pak pasi presidenti ukrainas u konfrontua në Oval Office me qëndrimin e ashpër të Trumpit dhe zëvendëspresidentit JD Vance. Në fund të majit Charles udhëtoi në Kanada, ku si kreu i shtetit hapi parlamentin kanadez.
Në fjalimin e tij ai theksoi sovranitetin kanadez. “Vizita në Kanada pasi Trump u shpreh për një shtet të 51-të të SHBA-së, ishte mjaft simbolike. Pallati do të thoshte jo politike, por me rëndësi simbolike”, nënvizon ish-diplomatik britanik Nicolas Westcott.
Nervozitet i madh
Jo vetëm lidhur me Ukrainën ose Kanadanë, por edhe për temat si klima dhe mbrojtja e mjedisit apo vaksinimi, pikëpamjet e Trump dhe Charles kanë dallime të mëdha. Për shkak të këtyre qëndrimeve dhe reagimit të paparashikueshëm të Trumpit në politikën botërore, si në komportimin e tij ndaj kreut të Kremlinit Vladimir Putin dhe faktit që britanikët relativisht nuk e preferojnë Trumpin, vazhdimisht në mediet britanike është spekuluar, se pallati mbretëror e ka pranuar me sforco vizitën dhe se do të kishte preferuar ta shtynte atë. Downing Street 10 në të kundërt ka insistuar për këtë periudhë. Rezultati është tani një vizitë mjaft kompakte, jashtë Londrës, me pak pika kontakti me opinionin publik britanik.
Ish-diplomati Westcott thotë: “Mbreti e kupton ashtu si edhe nëna e tij. Eshtë detyrim i monarkut, që të mbështesë vendin dhe qeverinë. Nëse diçka është e rëndësishme për vendin, kjo është e rëndësishme edhe për mornarkun. Një raport i mirë me presidentin e SHBA-së është e pjesë e rëndësishme e kësaj, pavarësisht nga pikëpamjet personale apo politike të tij”.
Nervoziteti në pallat dhe në qeverinë britanike është i madh. “Sado perfekt të jenë organizaur të gjitha, ndonjëherë mjafton vetëm një çast, një imazh që mund të kthehet në temën e vetme”, thotë Westcott. Protestat e planifikuara dhe një president kryeneç, që rrallëherë i përmbahet manuskriptit, janë potencial i mjaftueshëm për ndonjë gërvishtje në programin e shkëlqyer të nivelit të lartë mbretëror. /DW/