Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tokion, ku një çift bashkëshortësh humbi jetën pasi u bllokua brenda një sauna private që u përfshi nga flakët. Viktimat janë identifikuar si Yoko Matsuda, 37 vjeçe dhe bashkëshorti i saj Masanari Matsuda, 36 vjeç. Shërbimet emergjente u njoftuan rreth orës 12:25 të mesditës, pasi alarmi i zjarrit ishte aktivizuar. Kur zjarrfikësit mbërritën në vendngjarje, gjetën dorezën e derës së saunës të shkëputur dhe të rënë në dysheme.

Çifti u gjet i shtrirë në dysheme, mbi njëri-tjetrin, me kokat pranë derës, duke sugjeruar përpjekje të dëshpëruara për t’u larguar nga ambienti. Ata u transportuan me urgjencë në spital, por më vonë ndërruan jetë si pasojë e plagëve të marra.

Burri kishte pësuar djegie në pjesë të mëdha të trupit, ndërsa gruaja kishte djegie në shpatullën e djathtë. Autopsia nuk ka dhënë ende një përfundim të qartë për shkakun e vdekjes, por dyshohet se ata kanë humbur jetën si pasojë e djegieve ose temperaturave ekstreme. Hetimet paraprake tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një peshqir i djegur që kishte rënë mbi gurët e nxehtë të saunës, duke përhapur flakët drejt bankinave dhe mureve. Ndërkaq, istemi i alarmit të emergjencës rezulton të ketë qenë i çaktivizuar prej rreth dy vitesh.

Stafi i objektit ka deklaruar se pajisja ishte jashtë funksionit që prej vitit 2023. Qendra e Shëndetit Publik në Minato konfirmoi se sauna ishte në funksion që nga korriku 2022 dhe kontrolli i fundit teknik ishte kryer në prill 2023, pa u konstatuar mangësi serioze në pajisje.