Një prej drejtuesve lokalë të organizatës kriminale ekuadoriane Los Choneros është ekzekutuar nga persona të armatosur që dyshohet se u shtirën si efektivë policie për të kryer atentatin.
Viktima është 35-vjeçari David Macías, vëllai i Adolfo Macías, i njohur me nofkën “Fito”, i cili deri vonë konsiderohej kreu i një prej organizatave kriminale më të fuqishme në Ekuador. Lajmi është bërë i ditur nga BBC, duke cituar autoritetet vendase.
Sipas hetimeve paraprake, sulmi ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës në qytetin bregdetar të Olónit. Dëshmitarët kanë deklaruar se autorët, të veshur me uniforma që ngjanin me ato të policisë, hynë në vilën ku Macías po qëndronte me qira në një zonë rezidenciale dhe e qëlluan për vdekje.
Pas atentatit, autorët u larguan nga vendngjarja dhe deri tani policia nuk ka njoftuar për persona të arrestuar.
Ndërkohë, vëllai i tij, Adolfo “Fito” Macías, ndodhet në Shtetet e Bashkuara, ku pret të dalë para gjykatës pasi u ekstradua nga Ekuadori vitin e kaluar. SHBA e ka shpallur Los Choneros organizatë terroriste të huaj, duke e konsideruar një nga grupet kryesore përgjegjëse për përshkallëzimin e dhunës dhe të vrasjeve në Ekuador.
Ekzekutimi i David Macías konsiderohet një tjetër goditje për organizatën kriminale. Vetëm pak javë më parë, një tjetër vëlla i “Fito”-s, Javier Macías, u arrestua në Kolumbi në kuadër të operacioneve kundër krimit të organizuar.
Autoritetet kujtojnë se David Macías kishte pranuar fajësinë për akuzën e komplotit kriminal në vitin 2018. Gjatë kohës që vuante dënimin, ai dyshohet se kishte luajtur rol aktiv në forcimin e Los Choneros, duke rekrutuar të burgosur të tjerë dhe duke ndihmuar organizatën të fitonte ndikim brenda burgut ku mbahej.
Përplasjet e përgjakshme mes organizatave kriminale vazhdojnë të tronditin Ekuadorin, ku atentatet ndaj drejtuesve të bandave janë bërë gjithnjë e më të shpeshta si pasojë e luftës për kontrollin e trafikut të drogës dhe territoreve kriminale.
