Ukraina duhet të rrisë ndjeshëm ritmin e mobilizimit, me të paktën 30 mijë persona në muaj, në mënyrë që të ruajë situatën aktuale në fushën e betejës. Deklarata është bërë nga kreu i Zyrës Presidenciale të Ukrainës, Kirilo Budanov.
Gjatë forumit “Ukraina Nesër”, Budanov tha se nevojat për personel të forcave ukrainase mbeten të larta dhe se mobilizimi është i domosdoshëm për të përballuar presionin në front.
Ai hodhi poshtë gjithashtu idenë se mungesa e ushtarëve mund të kompensohet plotësisht përmes teknologjisë, duke theksuar se sistemet moderne nuk mund të zëvendësojnë faktorin njerëzor në luftë.
“Kushdo që thotë se mund ta braktisim mobilizimin dhe t’i zëvendësojmë njerëzit me disa androidë magjikë po tregon përralla. Kjo nuk do të ndodhë”, deklaroi Budanov.
Sipas tij, mungesa e personelit nuk do të ndikonte vetëm në kapacitetet ushtarake, por mund të krijonte pasoja edhe për ekonominë dhe funksionimin e shtetit.
“Pa mobilizim, përfundimisht mund të mos mbetet askush për të ndërtuar ekonominë”, u shpreh ai.
Deklaratat vijnë në një moment kur Ukraina vijon luftën kundër Rusisë dhe përballet me sfida të mëdha për sigurimin e forcave njerëzore të nevojshme për të mbajtur pozicionet në front.
