THOMAS ERDBRINK, NYT


Përgjatë disa muajve, që nga vendosja e sanksioneve të ashpra të udhëhequra nga amerikanët mbi Iranin dhe programin bërthamor, udhëheqësit e këtij vendi janë betuar se nuk do të përkulen kurrë përballë presionit të perëndimorëve dhe kanë përbuzur idenë se sanksionet po jepnin pasoja të rënda negative. Por gjatë javës së fundit, monedha vendëse rial, ra në mënyrë tronditëse me 40 për qind dhe protestat u shfaqën nëpër kryeqytet. Tashmë askush nuk e vë më në dyshim se pasojat e sanksioneve kanë mbërritur.


Në kryeqytetin e Iranit, të gjithë flasin për të njëjtën gjë, monedhën e tyre, rialin, dhe se si po kthehet jeta e tyre me kokëposhtë përgjatë një jave të vetme. Pas çdo dalje në rrugë apo vizite në supermarket, lajme të reja dalin mbi rënien e monedhës dhe spekulimet në rritje me çmimet.


“Më mirë ta blesh tani”, i tha një tregtar orizi Abbas Sharabit, një roje fabrike në pension, i cili vendosi të blejë rreth 400 kilogramë nga ushqimi më i rëndësishëm bazë i këtij vendi. Kjo sasi i mjafton atij të ushqejë familjen për më shumë se një vit.


“Ndërsa po numëroja paratë, tregtarit i ra celulari”, thotë Sharabi. “Kur e përfundoi telefonatën, më tha se çmimet sapo janë rritur me 10 për qind të tjera. Natyrisht që e pagova. Zoti e di se sa do të kushtojë orizi nesër”.


Megjithëse shumë pak njerëz aktualisht kanë nevojë të këmbejnë rialët për monedha të huaja, vlera e tij është një nga treguesit e shumtë të gjendjes së ekonomisë. Rënia e rialit ka sjellë rritje të shpejtë të çmimeve.


Në Teheran, shumë banorë i kalojnë ditët duke marrë në telefon tregtarët e valutës, duke vizituar bankat dhe duke arsyetuar nëse është më mirë të shkëmbejnë rialët e tyre tani apo të presin ndonjë mrekulli që mund të rikthejë kursin e vjetër.


“Luhatjet janë kaq të mëdha, sa tashmë askush nuk e di nëse është më mirë të pritet apo të shkëmbehen”, thotë Ahmad, 65 vjeç, tregtar stofash. “Më ka ardhur në majë të hundës”, thotë ai. “Unë dua të kem një jetë normale, por nga mëngjesi në darkë, të gjithë janë duke folur për monedhën”.


Si shumë banorë të kryeqytetit, Ahmad ndoqi me vëmendje konferencën për shtyp të Presidentit Mahmoud Ahmadinexhad, duke shpresuar se ai do të ofronte ndonjë zgjidhje. Në fakt, ai thjeshtë tha se dobësia e rialit ka ardhur si pasojë e spekulantëve  dhe si pasojë natyrale e zvogëlimit të eksporteve të naftës dhe vështirësive për veprimtari me bankat ndërkombëtare. Kundërshtarët thonë se ai po përpiqet të shmangë përgjegjësinë e vet për keqmenaxhimin e ekonomisë. Presidenti ka kërcënuar edhe me dorëheqje.


“Ai krijoi një telash të madh dhe tashmë dëshiron të na lërë”, thotë Ahmad. Por një shoku i tij ndërhyn duke thënë: “Jo, shumica e udhëheqësve tanë e kanë fajin, por ata po përpiqen të lajnë duart, duke ia ngarkuar çdo gjë Ahmadinexhadit”.


Një ditë pas kësaj, protestat e dhunshme filluan kur policia me motoçikleta shpërndau një grup kambistësh anës rrugës pranë pazarit kryesor të Teheranit. Qeveria i ka akuzuar ata për prodhimin e krizës së monedhës. Te pazari, që është edhe një qendër e rëndësishme tregtare, dyqanxhinjtë e ndërprenë punën dhe qindra qytetarë u bashkuan me ta, në protestë kundër kushteve të vështira ekonomike. Shpërthimi i protestave tregon zemërimin e madh publik për ndjesinë e mungesës së shpresës që ka kapluar shumë iranianë.


Ekspertët nuk janë të sigurt nëse kriza u shkaktua nga keqmenaxhimi afatgjatë i ekonomisë apo nga sanksionet e perëndimorëve, të cilat u vendosën pasi Irani refuzoi të ndalojë programin e tij bërthamor, për të cilin dyshohet se po synohet të prodhohet një bombë. Cilido qoftë shkaku, anëtarët e shtresës së mesme janë bërë cinikë dhe shumë prej tyre thonë se, megjithëse janë gjallë, nuk po jetojnë.


Majsam, djali i një njeriu që u vra në luftën Iran-Irak, një dekadë e mirëqenies relative dhe novacioneve teknologjike, i ka dhënë mundësi të udhëtojë shumë dhe e ka kthyer në një bloger të njohur dhe në një kritik të sistemit për të cilin i ati vdiq duke e mbrojtur. Në vend që të shpresojë të vdesë në fushëbetejë, ai ka planifikuar të krijojë kompaninë e tij të internetit. Por këto ëndrra janë penguar. “Ne nuk mund të mendojmë për të ardhmen, pasi duhet të mendojmë për ditën e nesërme apo të pasnesërme”, thotë ai. Udhëtimet jashtë vendit janë praktikisht të bllokuara, pasi edhe një kafe në Dubai, Emirate apo Stamboll – destinacionet e parapëlqyera për iranianët – kushton sot tri herë më shumë se sa një vit më parë për ata që kanë të ardhura në rial. Prindërit e mijëra vetëve që studiojnë jashtë Iranit po kërkojnë kthimin e fëmijëve në atdhe, për shkak se qiratë dhe tarifat e universiteteve në vende të tilla si Filipinet apo Malajzia janë bërë të papërballueshme.


“I kam thënë djalit të kthehet në shtëpi”, thotë Shabaz, 60 vjeç, i cili është bashkëpronar i një shtypshkronje, duke shtuar se gjatë së gjithë jetës i ka nxitur fëmijët të studiojnë jashtë. “Ne po humbasim të gjithë. E ardhmja e djalit është zhdukur. Unë nuk do ta shoh kurrë ceremoninë e diplomimit të tij dhe ai nuk do të mund të gjejë punë”.


Mes komunitetit afgan të Iranit, një grup emigrantësh po diskuton se mos është më mirë që të ikin nga ky vend. Monedha e tyre, afgani, është mbiçmuar ndjeshëm në krahasim me rialin, gjë që e ka ulur vlerën e pagave të tyre sakaq të ulëta. Pasi rrezikoi jetën e vet për të arritur në Iran nga Afganistani, Amin, 18 vjeç, beson se ka qenë me fat që ka gjetur një punë si pastrues në një bllok apartamentesh luksoze në Teheran. Tani, ai ndjehet sikur po punon pa pagesë. “Ndoshta mund të fitoj më shumë para nëse punoj në Afganistan”, thotë ai duke kthyer kokën në anën tjetër. “Njerëzit janë shumë të mirë këtu, por mua më duhet të mendoj për familjen në shtëpi”.


Mitra, 47, sapo është kthyer nga një kurs kërcimi ku jep leksione disa herë në javë dhe po përgatitej të shkonte te dyqani i veshjeve që ajo e drejton bashkë me bashkëshortin. Sytë e saj u mbushën me lot, kur mësoi kursin e fundit të rialit. “Shpresa ime e vetme është të largoj fëmijën tim 23-vjeçar nga ky vend”, thotë ajo. Shpresa ishte ta dërgonte në Kanada, por ambasada e këtij vendi u mbyll muajin e kaluar. Tani, asaj i duhet të shkojë në Ankara për një intervistë për vizë.


Në tregun valutor të Teheranit, tregtarët nisën në heshtje të blejnë e shesin sërish pas sulmit që pësuan një ditë më parë. Megjithatë, shumë pak njerëz ishin të gatshëm të shisnin dollarë. Qeveria thotë se do të hapë një zyrë këmbimi valutor, për të qetësuar tregun, por tregtarët janë skeptikë. “Është shumë e thjeshtë”, thotë një tregtar. “Për sa kohë sanksionet vijojnë, riali do të vijojë të humbasë”.