Shtëpia e Bardhë po shqyrton mundësinë e veprimeve ushtarake ndaj Iranit, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump pritet të zhvillojë një takim me ekipin e sigurisë kombëtare për të vendosur hapat e ardhshëm në lidhje me situatën.
Sipas burimeve amerikane, Trump kërkon një marrëveshje për t’i dhënë fund tensioneve me Teheranin, por mungesa e një përgjigjeje pozitive nga pala iraniane dhe refuzimi për të bërë lëshime në programin bërthamor kanë rikthyer në diskutim edhe opsionin ushtarak.
Uashingtoni ka pritur rreth 10 ditë për një reagim nga Irani mbi propozimin për uljen e tensioneve. Fillimisht, në Shtëpinë e Bardhë ka pasur pritshmëri për një hap përpara drejt marrëveshjes, por përgjigjja e fundit është vlerësuar si e pasuksesshme dhe ka sjellë shqetësim në administratë.
Në takim pritet të marrin pjesë zëvendëspresidenti J.D. Vance, i dërguari Steve Witkoff, sekretari i Shtetit Marco Rubio, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, kreu i Shtabit të Përbashkët, gjenerali Dan Caine, drejtori i CIA-s John Ratcliffe dhe zyrtarë të tjerë të lartë të sigurisë.
