Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje presidentit amerikan Donald Trump që të shfrytëzohet në maksimum rruga diplomatike për uljen e tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Thirrja u bë gjatë një bisede telefonike mes dy liderëve të zhvilluar të hënën, më 17 gusht, ku në fokus ishin marrëdhëniet dypalëshe Turqi-SHBA, si dhe zhvillimet e fundit rajonale dhe ndërkombëtare.

Sipas Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës Turke, Erdogan e cilësoi të rëndësishme vazhdimin e negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit, duke theksuar se Ankaraja do të vijojë të mbështesë përpjekjet për paqe dhe stabilitet në rajon.

Gjatë bisedës, presidenti turk foli edhe për Marrëveshjen e Mbrojtjes së Përbashkët të Mekës, të nënshkruar në fillim të këtij muaji mes Turqisë, Pakistanit dhe Arabisë Saudite. Erdogan i tha Trump se marrëveshja përbën një qëndrim të fortë në funksion të sigurisë dhe stabilitetit rajonal.

Një tjetër çështje e diskutuar ishte situata në Gaza. Erdogan shprehu shqetësimin për rritjen e veprimeve të qeverisë izraelite ndaj palestinezëve, në një kohë kur synohet kalimi në fazën e dytë të procesit të paqes.

Presidenti turk theksoi se Turqia do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për një paqe të qëndrueshme në rajon, si dhe hapat për rindërtimin e Gazës.