Presidenti rus Vladimir Putin dhe Presidenti amerikan Donald Trump kanë zhvilluar një telefonatë të gjatë, e cila u përshkrua nga Moska si “intensive dhe shumë e sinqertë”, por që nuk solli ndonjë hap përpara drejt përfundimit të luftës në Ukrainë.
Gjatë bisedës, që ndodhi ndërsa Putin ndodhej në Soçi për një vizitë zyrtare, të dy liderët diskutuan mbi konfliktin në Ukrainë, por pa ndonjë rezultat konkret. Sipas Kremlinit, Putin përsëriti qëndrimin e tij se nuk do të ketë armëpushim pa lëshime nga pala ukrainase.
Telefonata u zhvillua nga qendra “Sirius”, një institucion për studentë të talentuar, çka sipas mediave ruse tregon se biseda nuk ishte një moment urgjent në axhendën e Putinit. Analistët në Rusi e përshkruan si një komunikim rutinë, por që ruan kanalet diplomatike të hapura me SHBA-në.
Ish-këshilltari i Kremlinit, Sergey Markov, tha se biseda ishte “e ashpër” dhe pa ndonjë përparim real. Ndërkohë, filozofi i njohur rus Aleksandr Dugin, i afërt me qarqet nacionaliste, theksoi se “paqja do të vijë vetëm pas fitores ushtarake”.
Zyrtarë të tjerë rusë sugjeruan se po përgatiten takime të mundshme mes Putinit, Trumpit dhe ndoshta edhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Megjithatë, për momentin, biseda mbetet vetëm një përpjekje për të ruajtur kontaktin – me SHBA-të ende në tryezë, por pa një zgjidhje të afërt në horizont.
