Spanja po përballet me pasoja të rënda nga temperaturat ekstreme, duke regjistruar numrin më të lartë të viktimave të lidhura me vapën për muajin maj që nga viti 2015.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë, gjatë muajit maj humbën jetën të paktën 101 persona si pasojë e temperaturave të larta. Autoritetet theksojnë se ky numër është rreth 3.6 herë më i lartë krahasuar me mesataren e viktimave të regjistruara në të njëjtën periudhë gjatë dhjetë viteve të fundit.

Ndërkohë, disa qytete spanjolle kanë thyer rekordet historike të temperaturave për muajin maj, veçanërisht në zonat veriore të vendit. Agjencia Kombëtare Meteorologjike e Spanjës (Aemet) i ka cilësuar temperaturat e ditëve të fundit si të pazakonta për këtë periudhë të vitit, duke nënvizuar se vala e të nxehtit ka qenë e zgjatur dhe ka vazhduar për disa ditë radhazi.