Departamenti i Zjarrfikësve të Kuvajtit njoftoi të martën se sulmet iraniane kanë shkaktuar zjarre në dy zona të ndryshme të vendit, duke lënë të plagosur disa zjarrfikës dhe një punonjës. Në një deklaratë të publikuar në platformën X, autoritetet thanë se ekipet e emergjencës ndërhynë menjëherë për të shuar flakët e shkaktuara nga sulmet. Sipas tyre, gjatë operacionit të parë të shpëtimit u plagosën disa zjarrfikës dhe një punëtor, të cilët u transportuan në spital për trajtim mjekësor.
Më herët, Ministria e Energjisë Elektrike, Ujit dhe Energjisë së Rinovueshme e Kuvajtit bëri të ditur se një central i dytë i prodhimit të energjisë dhe shkripëzimit të ujit ishte goditur nga një sulm iranian. Sulmi shkaktoi zjarr në një nga sektorët e uzinës, duke detyruar autoritetet të pezullonin funksionimin e disa njësive si masë sigurie.
Sipas ministrisë, sulmi ishte pjesë e asaj që e cilësoi si “agresionin iranian” ndaj infrastrukturës strategjike të vendit. Ndërkohë, Korporata Kombëtare e Naftës e Kuvajtit njoftoi se edhe një strukturë e industrisë së naftës u godit nga sulme të përsëritura, duke shkaktuar të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KUNA, objekti u evakuua menjëherë, ndërsa të lënduarit morën ndihmë mjekësore.
