Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka deklaruar ditën e sotme se shpreson të arrijë një marrëveshje me Iranin. Kjo erdhi disa orë pasi udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se çdo sulm i SHBA-së ndaj Republikës Islamike do të shkaktonte një luftë rajonale.

“Shpresoj të arrijmë një marrëveshje. Nëse nuk kemi një marrëveshje, do të shohim nëse udhëheqësi suprem ka të drejtë apo jo. Ne kemi anijet më të mëdha dhe më të fuqishme në botë atje,” u tha Trump gazetarëve në Florida.

Mediat e huaja shkruajnë se presidenti amerikan ka vijuar të dërgojë mesazhe kontradiktore në lidhje me Iranin ditët e fundit. Kjo duke kërcënuar se do të përdorë veprime ushtarake kundër Republikës Islamike dhe duke deklaruar në raste të tjera se po ndjek rrugën e bisedimeve me Teheranin.