Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka reaguar ashpër ndaj përshkallëzimit të konfliktit që përfshin Izraelin, Shtetet e Bashkuara dhe Iranin, duke e cilësuar atë si një “luftë të paligjshme”.

Në një deklaratë publike, Erdogan akuzoi kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu si nxitës të konfliktit, duke theksuar se pasojat po ndihen në mbarë globin.

“25 ditët e fundit kanë treguar se, megjithëse kjo është lufta e Izraelit, bota po e paguan çmimin. Është lufta e Netanyahut për pushtet, por 8 miliardë njerëz po vuajnë pasojat”, u shpreh ai.

Presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën për një zgjidhje të shpejtë përmes dialogut, duke paralajmëruar për pasoja të rënda ekonomike nëse konflikti vijon.

“Shpresojmë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt përmes negociatave, përpara se dëmet në ekonominë globale të bëhen të pakthyeshme dhe të kërkojnë vite për t’u riparuar”, deklaroi Erdogan.

Në fjalimin e tij pas mbledhjes së kabinetit në Ankara, ai shtoi se “qëndrimi i paepur, maksimalist dhe radikal i Izraelit nuk duhet të lejohet të sabotojë përpjekjet për zgjidhje diplomatike”.

Deklaratat e liderit turk vijnë në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa shtohet presioni ndërkombëtar për uljen e konfliktit dhe rikthimin në tryezën e bisedimeve.