Dy marinarë, një shtetas pakistanez dhe një indonezian, kanë humbur jetën pas një sulmi ndaj një anijeje tregtare pranë brigjeve të Jemenit, në hyrje të Detit të Kuq.

Ngjarja është regjistruar pranë Ngushticës së Bab el-Mandebit, një prej korridoreve më të rëndësishme për transportin detar ndërkombëtar.

Sipas informacioneve paraprake, ende nuk është përcaktuar se nga kush është kryer sulmi dhe kush qëndron pas tij. Njoftimi për viktimat është bërë nga kompania britanike e sigurisë detare Vanguard, pas raportimeve fillestare nga UKMTO, struktura që monitoron incidentet dhe lëvizjet e anijeve tregtare në këtë zonë.

Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e sulmit, ndërsa deri më tani nuk ka një konfirmim përfundimtar mbi autorët.

Sipas Reuters, nëse konfirmohet se sulmi është kryer nga rebelët Huthi, dy marinarët do të ishin viktimat e para të regjistruara si pasojë e sulmeve të tyre në këtë ngushticë.