Bashkimi Evropian po shqyrton krijimin e një instrumenti të ri që do t’i mundësonte të kufizonte shpejt dhe në mënyrë efektive aksesin në tregun e tij të brendshëm në rast të një konflikti tregtar me një vend jashtë unionit. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, konfirmoi se Brukseli po punon për forcimin e mekanizmave mbrojtës përballë tensioneve të mundshme tregtare me vendet e treta.

Sipas raportimeve nga mediat e huaja, nisma synon t’i japë BE-së më shumë mundësi për të reaguar ndaj situatave të konfliktit ekonomik dhe për të mbrojtur tregun e saj të brendshëm. Në hartimin e këtij instrumenti, Brukseli po mbështetet te një propozim i përbashkët i Francës dhe Gjermanisë, i cili synon të forcojë mjetet e reagimit të unionit në rast të një përshkallëzimi të mosmarrëveshjeve tregtare, veçanërisht me Kinën. Nisma vjen në një kohë kur Bashkimi Evropian po kërkon të rrisë kapacitetet e tij për t’iu përgjigjur presioneve ekonomike dhe për të mbrojtur interesat e tij në tregtinë ndërkombëtare.