Ish-presidenti sirian Bashar Al-Assad ndodhet i shtruar në një spital pasi dyshohet për tentativë helmimi ndaj tij.

Sipas një burimi të cituar nga Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut, Assad është helmuar dhe është shtruar në spital në gjendje të rëndë, por tani ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Mësohet se gjatë qëndrimit në spital, vetëm vëllai i tij, Maher al-Assad, është lejuar ta vizitojë, ndërsa autoritetet ruse nuk kanë komentuar mbi ngjarjen.

Ajo çfarë dihet deri tani është se Assad u shtrua në një spital në periferi të Moskës dhe më pas u lirua, edhe pse dyshohet se është helmuar ende nyk ka prova për ta vërtetuar akuzën.

Bashar al-Assad ishte në pushtet në Siri për mbi 20 vjet dhe mbijetoi për një kohë të gjatë falë mbështetjes së Rusisë dhe Iranit, edhe gjatë luftës civile. Pas rrëzimit, Vladimir Putin i ofroi strehim në Rusi së bashku me familjen.

Familja Assad besohet se ka pasuri të mëdha dhe ka blerë apartamente luksoze në Moskë. Autoritetet e reja në Siri kanë kërkuar ekstradimin e tij, por Rusia e ka refuzuar.

Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë e figurave të përmbysura që qëndrojnë nën mbrojtjen e Kremlinit.