Një emigrant i paligjshëm nga Venezuela u qëllua në këmbë nga një agjent federal i emigracionit në Minneapolis, pasi dyshohet se u përpoq të arratisej gjatë një kontrolli policor dhe më pas sulmoi dhunshëm agjentin me një lopatë bore. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës, njoftoi Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Sipas DHS-së, i dyshuari ndodhej në timon kur tentoi t’u shpëtonte oficerëve federalë të emigracionit rreth orës 18:50 me orën lokale, por u përplas me një automjet të parkuar.

Më pas, emigranti tentoi të largohej në këmbë dhe “sulmoi dhunshëm oficerin” gjatë një përleshjeje në tokë, thuhet në një postim të agjencisë në platformën X.

Ndërsa përleshja vazhdonte, dy persona të tjerë dolën nga një apartament aty pranë dhe dyshohet se sulmuan agjentin duke përdorur një lopatë bore dhe një bisht fshese. Në kaosin e krijuar, emigranti venezuelian arriti të shkëputej nga kapja e oficerit dhe dyshohet se nisi gjithashtu ta godiste atë “me një lopatë ose bisht fshese”, sipas deklaratës së DHS-së.

Oficeri, “i frikësuar për jetën e tij”, e qëlloi burrin venezuelian në këmbë, tha DHS.

Emigranti i plagosur dhe dy sulmuesit e dyshuar më pas ikën në apartament dhe u mbyllën brenda. Agjentët federalë më në fund arritën të hynin brenda dhe i arrestuan të tre.