Ekziston një gjest që ka shënuar jetën e përditshme për shekuj me radhë: dërgimi i një letre, pritja e ziles, njohja e uniformës së postierit nga larg.
Në Danimarkë, ky ritual është gati të bëhet një element që do t’I përkasë kujtesës. Pas 400 vitesh aktivitet, shërbimi tradicional postar mbyll një epokë dhe hap një kapitull të ri, të shënuar nga dixhitalizimi total. Një vendim historik, i cili jo vetëm shënon fundin e një profesioni simbolik, por edhe transformimin e thellë të një vendi të tërë.
Ishte viti 1624 kur Mbreti Christian IV themeloi shërbimin postar danez, pothuajse si një dhuratë Krishtlindjesh për popullin e tij. Që atëherë, breza postierësh kanë përshkuar qytete dhe fshatra, duke u bërë një pjesë integrale e peizazhit urban. Sot, PostNord, kompania e formuar nga bashkimi i shërbimeve postare daneze dhe suedeze, njoftoi nuk do të dërgojë më letra. Danimarka bëhet vendi i parë në botë që shpall postën e letrave, jo më të rëndësishme, por dhe të paleverdisshme.
Ndryshimi nuk është thjesht simbolik. 1,500 kutitë postare ikonike të kuqe, të cilat kanë qëndruar për më shumë se 170 vjet, janë hequr dhe janë nxjerrë në shitje për bamirësi. Një vendim që nxiti një garë për blerjen e tyre. Qindra mijëra danezë u përpoqën t’i blinin, duke paguar deri në 300 dollarë secila. Në të njëjtën kohë, PostNord njoftoi shkurtimin e 1,500 vendeve të punës, një pasojë e drejtpërdrejtë e rënies së postës tradicionale.
Gjatë 25 viteve të fundit, vëllimi i letrave të dërguara në Danimarkë është ulur me 90%. Vetëm në vitin 2024, kompania regjistroi humbje prej 428 milionë kronerësh danezë, afërsisht 57 milionë euro. Duke pasur parasysh këto të dhëna, zgjedhja duket pothuajse e pashmangshme. Letrat do të vazhdojnë të dërgohen, por përmes kioskave dhe dyqaneve, duke u mbështetur në korrierë privatë. PostNord do të vazhdojë të përqendrohet te pakot, e nxitur nga tregtia elektronike në rritje të vazhdueshme.
Danimarka është ndër vendet më të dixhitalizuara në botë: madje edhe marrëdhëniet me administratat publike zhvillohen pothuajse ekskluzivisht në internet. “Pothuajse të gjithë danezët janë plotësisht dixhitalë”, shpjegoi zëdhënësi i PostNord, Andreas Brethvad, duke theksuar se si emaili dhe platformat dixhitale tani kanë zëvendësuar postën tradicionale. Nuk është çudi, pra, që një ndryshim kaq radikal ndodhi pikërisht në këtë vend.
