Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Greqi, ku një 37-vjeçar ka rrëmbyer dhe vrarë mbesën e tij 11-vjeçare.
Mediat greke kanë publikuar deklaratën e autorit, i cili ka pranuar se ka tentuar ta përdhunojë para se t’i merrte jetën. Ai ka pranuar në polici se donte të kryente marrëdhënie seksuale me të miturën, por ajo nuk pranoi dhe i tha se do i tregonte prindërve. Autori e ka sulmuar menjëherë me kaçavidë dhe e vrau duke i shkaktuar lëndime në gjoks dhe mbrapa.
“I sugjerova që të takoheshim. Ai reagoi dhe refuzoi. Ajo tha se do t’u tregonte prindërve të saj dhe unë e vrava me kaçavidën që kisha në makinë”, pretendoi ai.
Disa burime duke folur për protothema.gr, raportuan se fëmija kishte plagë në duar. Ndaj, konstatohet se autori ka sulmuar 11-vjeçaren dhe ajo ka tentuar të mbrohet në çdo mënyrë që ka mundur, por fatkeqësisht nuk ia ka dalë. Pas vrasjes, 37-vjeçari e ka tërhequr zvarrë trupin e saj dhe e ka hedhur në kallamishte.
Pas kësaj, ai u kthye në shtëpinë e tij dhe shkoi në shtrat sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërsa të nesërmen shkoi normalisht në punë dhe filloi të sillej si i shqetësuar për fatin e mbesës së tij.
Policia ra në gjurmët e tij pasi u pa në një video të siguruar nga kamerat e sigurisë, duke marrë në makinë vajzën e cila sapo kishte dalë nga shtëpia.
Në vitin 2017, ai është arrestuar dhe dënuar për përdhunim ndaj një të miture, por nuk ka qenë asnjëherë në burg, pasi gjykata ka vendosur që të qëndrojë i lirë me kushte deri në gjykimin e çështjes në shkallë të dytë.
