Dy britanikë janë paraqitur në gjykatë në Bali me dyshimin se janë përpjekur të kontrabandojnë 1.3 kg kokainë, akuza që mund t’i çojnë ata përballë dënimit me vdekje.
Kial Robinson, 29 vjeç, dhe Piran Ezra Wilkinson, 48 vjeç, të dy nga Chichester, në West Sussex, aktualisht mbahen nga Agjencia e Narkotikëve të Balit.
Robinson, i cili zotëron një biznes kopshtarie, sipas dokumenteve të paraqitura në Companies House, u arrestua pasi u ndalua në Aeroportin Ndërkombëtar të Balit me një pako që përmbante kokainë të gjetur në çantën e tij të shpinës.
Daily Mail raporton se ai hipi në një fluturim të Turkish Airlines nga Barcelona dhe mbërriti në ishull më 3 shtator.
Ai pretendoi se iu ofruan 10,000 dollarë për të shitur drogën dhe i kishin thene t’ia jepte dikujt që do të vinte në një vilë në Mengwi, Badung, pranë Canggu, sipas burimeve.
Wilkinson, i cili është i listuar në Companies House si menaxher pronash, u arrestua në një vilë në orët e para të 4 shtatorit.
Trafikantët e dënuar të drogës, veçanërisht ata të kapur me sasi të mëdha, në të kaluarën janë ekzekutuar nga skuadra e pushkatimit në Indonezi – përfshirë shtetas të huaj. Nëse sasia është e madhe, por jo e mjaftueshme për dënimin me vdekje, burgimi i përjetshëm është një dënim i zakonshëm.
Zëdhënësi i Agjencisë, Made Dwi Saputra, konfirmoi vetëm se dy shtetas britanikë ishin arrestuar.
Ai tha se arrestimi do të njoftohet zyrtarisht në një konferencë për shtyp të martën.