Momente tmerri janë regjistruar në Massachusetts (SHBA), ku një person i armatosur hapi zjarr në mënyrë të pakontrolluar ndaj automjeteve që kalonin në një nga rrugët më të frekuentuara të Cambridge.
Autori, i identifikuar si Tyler Brown, dyshohet se ka qëlluar dhjetëra herë me një pushkë drejt makinave dhe kalimtarëve në zonën Memorial Drive, duke shkaktuar panik total.
Sipas autoriteteve amerikane, dy persona mbetën të plagosur rëndë dhe u transportuan me urgjencë në spital. Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta policie, ndërsa një efektiv i Policisë Shtetërore dhe një ushtarak jashtë shërbimit u përballën me autorin dhe e qëlluan disa herë për ta neutralizuar.
Dëshmitarët treguan se njerëzit braktisnin makinat dhe vraponin për t’u fshehur mes të shtënave. Një grua që ndodhej në një minibus shkolle tha se “vrapoi për jetën” pasi plumbat nisën të godisnin automjetet në rrugë.
Autoritetet zbuluan se Brown kishte precedent të rëndë kriminal prej vitesh, përfshirë edhe një incident në vitin 2020 kur kishte qëlluar ndaj policëve në Boston. Ai ndodhet nën mbikëqyrje në spital dhe pritet të përballet me akuza të rënda, mes tyre tentativë vrasjeje dhe armëmbajtje të paligjshme.
Policia deklaroi se nuk ka më rrezik për publikun, ndërsa zona u izolua për disa orë nga forcat e sigurisë.
