Komandanti i lartë i NATO-s në Europë, gjenerali amerikan Alexus Grynkewich, deklaroi se tërheqja e një pjese të trupave amerikane nga Europa nuk do të ndikojë në aftësitë mbrojtëse të aleancës.

Deklarata vjen pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr rreth 5 mijë ushtarë amerikanë nga Gjermania.

Sipas NATO-s, reduktimi i forcave amerikane do të realizohet brenda 6 deri në 12 muajt e ardhshëm dhe prek rreth 15% të 36 mijë ushtarëve amerikanë që aktualisht ndodhen në Gjermani.

Gjenerali Grynkewich theksoi se aleatët europianë po rrisin kapacitetet e tyre ushtarake dhe kjo u jep mundësi SHBA-ve të zhvendosin një pjesë të forcave në prioritete të tjera globale.

Ai shtoi se procesi do të jetë gradual dhe do të varet nga aftësia e vendeve europiane të NATO-s për të forcuar mbrojtjen, sipas angazhimeve të marra në samitin e aleancës në Hagë për rritjen e shpenzimeve ushtarake deri në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.

Gjenerali amerikan deklaroi gjithashtu se çdo mision i mundshëm i NATO-s në Ngushticën e Hormuzit do të kërkojë një vendim politik nga vendet anëtare të aleancës.