Autoritetet izraelite ndaluan për herë të parë Meshën e së Dielës së Palmave në Jeruzalem. Vendimi shkaktoi reagime të forta ndërkombëtare. Netanyahu u detyrua të tërhiqet dhe të lejojë ceremoninë fetare.

Izraeli është përfshirë në një tjetër polemikë ndërkombëtare, pasi për herë të parë pas shekujsh autoritetet ndaluan zhvillimin e Meshës së së Dielës së Palmave në Kishën e Varrit të Shenjtë në Jeruzalem. Vendimi u mor në kuadër të masave të sigurisë gjatë luftës në rajon, por u kritikua ashpër nga komunitetet fetare dhe liderët ndërkombëtarë.

Patriarkana Latine e Jeruzalemit deklaroi se drejtuesit e Kishës u ndaluan nga policia izraelite teksa po shkonin për të kremtuar meshën, një precedent që nuk ishte regjistruar më parë në histori. Sipas saj, vendimi përbën një shkelje të rëndë të lirisë fetare dhe ndjeshmërive të miliarda besimtarëve në mbarë botën.

Pas reagimeve të forta, kryeministri Benjamin Netanyahu ndërhyri, duke kërkuar nga autoritetet që të lejojnë zhvillimin e ceremonisë dhe hyrjen e Patriarkut në Kishë. Ai theksoi se nuk kishte qëllim të keq, por masa sigurie për shkak të kërcënimeve nga sulmet në rajon.

Ndërkohë, kufizimet ndaj vendeve të shenjta në Jeruzalem janë shtuar ndjeshëm. Qasja në Xhaminë Al-Aksa dhe në Murin e Lotëve është reduktuar, ndërsa shumë besimtarë janë penguar të marrin pjesë në ritualet fetare.

Reagime të forta kanë ardhur edhe nga Italia dhe Vatikani, ku liderët fetarë dhe politikë e cilësuan ndalimin si një fyerje ndaj lirisë së besimit. Papa dënoi gjithashtu luftën dhe pengesat ndaj praktikimit të fesë gjatë kësaj periudhe të shenjtë për të krishterët.