Katër deputetë të Partisë Laburiste dhanë dorëheqjen dhe i kërkuan Keir Starmerit të largohet nga detyra e tij si kryeministër.
64 deputetë deri tani kanë kërkuar publikisht që Starmer ose të largohet menjëherë, ose të paraqesë një afat kohor për largimin e tij. Gjatë një fjalimi, Starmer këmbënguli se do t’u vërtetonte “dyshuesve” se e kanë gabim, duke shtuar se qeveria e tij ka bërë gabime, por “ka marrë vendimet e mëdha politike siç duhet”.
“Disa njerëz janë të zhgënjyer me mua,” pranoi Keir Starmer: “E di që duhet t’u vërtetoj se e kanë gabim dhe do ta bëj,”– tha ai.
Starmer premtoi se Partia Laburiste do “të përballet me sfidat e mëdha” dhe “do të zhvillojë debatet e mëdha”.
“Sigurisht, si çdo qeveri, edhe ne kemi bërë gabime. Por morëm vendimet e mëdha politike siç duhet. Dua të them, nëse do të kishim dëgjuar këshillat e partive të tjera, tani do të ishim të përfshirë në një përplasje me Iranin, të tërhequr në një luftë që nuk është në interesin tonë dhe unë nuk do ta bëj kurrë këtë”- vijoi ai.
Duke iu kthyer Brexit-it dhe Evropës, Starmer premtoi marrëdhënie më të afërta me BE. Deputetja laburiste Catherine West u tërhoq nga kërcënimi i saj për të nisur një sfidë ndaj udhëheqjes së Starmerit, por i kërkoi atij të largohet deri në shtator.
“Rezultatet e së enjtes së kaluar tregojnë se kryeministri nuk ka arritur të ndezë shpresë. Ajo që është më e mira për partinë dhe vendin tani është një tranzicion i rregullt. Me këtë po njoftoj Doëning Street se po mbledh emrat e deputetëve laburistë për t’i kërkuar kryeministrit të vendosë një afat kohor për zgjedhjen e një lideri të ri në shtator”, tha West.
Ndërkohë, ish-zëvendëskryeministrja Angela Rayner deklaroi sërish se “ajo që po bëjmë nuk po funksionon” dhe se kryetari i Bashkisë së Greater Manchester, Andy Burnham, “nuk duhej të ishte penguar kurrë” për të kandiduar si deputet.
