UNICEF ka paralajmëruar se rreth 680 mijë fëmijë në Venezuelë kanë nevojë urgjente për ndihmë humanitare pas tërmeteve shkatërruese që goditën vendin.

Sipas organizatës, katastrofa ka shkaktuar dëme të mëdha në spitale dhe infrastrukturë në Karakas dhe në shtetet La Guaira, Carabobo, Aragua dhe Falcón, duke rënduar ndjeshëm situatën për gratë shtatzëna dhe fëmijët.

“Tre ditë pas nisjes së reagimit, shkalla e nevojës po bëhet më e qartë. Spitalet po funksionojnë përtej kapacitetit, mijëra fëmijë nuk kanë qasje të sigurt në ujë dhe shumë shkolla janë dëmtuar”, deklaroi Manuel Rodriguez Pumarol, përfaqësues i UNICEF-it në Venezuelë.

Të dhënat paraprake tregojnë se vetëm në Karakas janë dëmtuar 432 shkolla, duke penguar zhvillimin normal të mësimit. Një pjesë e shkollave të paprekura po përdoren aktualisht si strehimore të përkohshme për familjet e zhvendosura nga tërmetet.

UNICEF thekson se situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme për sigurimin e ujit të pijshëm, kujdesit shëndetësor dhe mbështetjes psikologjike për fëmijët e prekur nga katastrofa.