Valles Marineris, kanioni gjigant që shtrihet përgjatë ekuatorit të Marsit, mund të jetë ende një zonë me aktivitet tektonik, miliarda vjet pas formimit të tij. Në këtë përfundim kanë dalë studiuesit pas analizimit të të dhënave sizmike të mbledhura nga sonda InSight e NASA-s.
Më 25 gusht 2021, sonda regjistroi një tërmet marsian, sinjali i të cilit mbërriti nga ana e kundërt e planetit. Një ekip kërkimor i udhëhequr nga Imperial College London analizoi amplitudën dhe drejtimin e valëve sizmike për të përcaktuar origjinën e mundshme të ngjarjes.
Studimi, i publikuar në revistën shkencore Nature Communications, sugjeron se tërmeti mund të jetë shkaktuar nga lëvizja e çarjeve në koren e Marsit, në zonën e Valles Marineris. Kjo do ta rendiste rajonin mes zonave ku janë identifikuar shenja të mundshme të aktivitetit tektonik.
Valles Marineris është kanioni më i madh në Sistemin Diellor. Ai shtrihet për rreth 3.900 kilometra, arrin deri në 600 kilometra gjerësi dhe ka një thellësi prej më shumë se nëntë kilometrash. Në krahasim me Grand Canyon në SHBA, është rreth nëntë herë më i gjatë, 20 herë më i gjerë dhe pesë herë më i thellë.
Për të identifikuar shkakun e tërmetit, shkencëtarët studiuan përhapjen e valëve sizmike në brendësi të planetit. Sipas analizës, ngjarja mund të jetë shkaktuar nga lëvizja horizontale e dy blloqeve shkëmbore, në një thellësi prej 20 deri në 40 kilometrash.
Megjithatë, përcaktimi i origjinës së tërmeteve në Mars mbetet sfidues, pasi sinjalet sizmike mund të shkaktohen edhe nga goditjet e meteoroideve, rrëshqitjet e dheut dhe procese të tjera gjeologjike.
Nëse konfirmohet, zbulimi do të tregonte se korja e Marsit vazhdon të pësojë deformime edhe sot. Të dhënat e misionit InSight po u japin shkencëtarëve mundësi të reja për të kuptuar strukturën e brendshme të planetit të kuq dhe proceset që kanë formësuar sipërfaqen e tij gjatë miliarda viteve.
