Një tërmet me magnitudë 7.7 ka tronditur Indonezinë mëngjesin e së dielës, duke shkaktuar viktima, dëme të mëdha materiale dhe panik në zonat e prekura. Lëkundja e fortë u pasua nga dhjetëra pasgoditje, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.

Autoritetet kanë konfirmuar deri tani 20 viktima dhe gjashtë të plagosur. Dy persona të tjerë dyshohet se ndodhen ende nën rrënojat e ndërtesave të shembura.

Epiqendra u lokalizua në det, pranë ishullit Flores dhe rreth 68 kilometra nga qyteti Ende. Fuqia e tërmetit bëri që autoritetet të aktivizonin menjëherë paralajmërimin për cunami.

Alarmi u hoq disa orë më vonë, pasi valët e regjistruara arritën në rreth 30 centimetra dhe nuk u konstatua rreziku për një cunami të madh. Megjithatë, banorëve iu kërkua të vazhdonin të tregoheshin të kujdesshëm dhe të qëndronin larg vijës bregdetare.

Ekipet e emergjencës janë angazhuar në kërkimin e personave që mund të kenë mbetur të bllokuar, ndërsa kontrollet po zhvillohen mes ndërtesave të dëmtuara.

Përcaktimi i bilancit të plotë pritet të marrë kohë, pasi disa prej zonave të goditura janë të largëta dhe ndodhen në terren malor, duke vështirësuar lëvizjen e ekipeve të shpëtimit.

Agjencia indoneziane për menaxhimin e fatkeqësive u ka bërë thirrje qytetarëve të mos hyjnë në ndërtesat ku janë shfaqur çarje apo dëmtime strukturore, për shkak të rrezikut të shembjeve të tjera nga pasgoditjet.

Indonezia ndodhet në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një prej zonave me aktivitetin më të lartë sizmik dhe vullkanik në botë.