Një tërmet me magnitudë 5.0 është regjistruar gjatë natës zonën e Granadës, në jug të Spanjës.
Mediat vendase shkruajnë se, epiqendra e tërmetit u regjistrua pranë Alhendin, në rajonin e Andaluzisë. Sipas Institutit Gjeografik Kombëtar të Spanjës (IGN), magnituda e tërmetit fillimisht ishte vlerësuar 4.8, por më pas u rishikua në 5.0.
Lëkundja kishte një thellësi prej vetëm 2 kilometrash dhe shkaktoi dëme materiale në disa zona. Shërbimet e emergjencës raportuan shkëputje të pjesëve të kornizave, dëmtime në fasada dhe çati ndërtesash, veçanërisht në Armilla. Banorë të shumtë raportuan gjithashtu rënien e objekteve brenda banesave.
Pavarësisht dëmeve, deri tani nuk raportohet për viktima apo persona të lënduar. Tërmeti u ndje në të gjithë provincën e Granadës, por edhe në provincat e Jaén, Almería, Málaga dhe Córdoba.
Vetëm gjashtë minuta pas lëkundjes kryesore u regjistrua një tjetër tërmet me magnitudë 2.6, me epiqendër në Gojar.
Zona ishte goditur edhe gjatë ditës së premte nga tre tërmete të tjera me intensitet më të ulët, ndërsa autoritetet vijojnë monitorimin e situatës dhe vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga lëkundja e fuqishme.
