Ka shkuar në 224 numri i viktimave nga tërmeti katastrofik me magnitudë 7.4 që goditi Kolumbinë, ndërsa rreth 3 mijë persona rezultojnë të zhdukur.

Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë pa ndërprerje operacionet nën rrënoja, me shpresën për të gjetur të mbijetuar. Autoritetet thonë se çdo minutë është vendimtare dhe se ende ka persona që mund të jenë gjallë, edhe 24 orë pas tërmetit.

Gjatë orëve të fundit, ekipet e emergjencave kanë arritur të nxjerrin të paktën pesë të mbijetuar nga një hotel pjesërisht i shembur, duke rritur shpresat për gjetjen e personave të tjerë.

Dëmet materiale janë të mëdha, me qindra banesa të shkatërruara plotësisht dhe ndërtesa të dëmtuara në disa zona.

Për shkak të përmasave të katastrofës, autoritetet kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme, ndërsa Kisha Katolike kolumbiane është mobilizuar për të ofruar ndihmë për familjet e prekura.

Tërmeti i fuqishëm goditi mëngjesin e 10 gushtit pjesën perëndimore të Kolumbisë. Lëkundjet me magnitudë 7.4, me epiqendër në departamentin e Çokos, pranë bregdetit të Paqësorit, u ndjenë në një pjesë të madhe të vendit dhe shkaktuan dëme të konsiderueshme në disa qytete.

Ndërkohë, operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë në zonat më të prekura, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se bilanci i viktimave dhe të zhdukurve mund të ndryshojë.